A është shqipëria një vend më i sigurtë sot seç ka qenë katër vite më parë, kur e majta kishte një ndër spotet e saj elektorale pasigurinë? Pasigurinë e njerëzve në rrugë, për pronën dhe këtë e bëri pjesë. Kanë kaluar katër vite. Sa ka ndryshuar Shqipëria në këtë drejtim?

Për këtë u fol sonte në Top Story me Sokol Ballën me të ftuar Fatmir Xhafën dhe Pandeli Majkon nga Partia Socialiste dhe Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj për Partinë Demokratike.

Droga mbetet ende një problem, i pranuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E pikërisht Xhafaj foli i pari.

“Shqipëria sot është një vend shumë më i sigurtë se katër vite më parë. Falë reformave të mëdha në shumë fusha dhe në reformimin e policisë së shtetit ka mundur që të japë sot një polici shumë më afër komunitetit dhe qytetarëve dhe një siguri më shumë për njerëzit dhe pronën e biznesin. Sot kemi një polici shumë herë më të arsimuar, shumë më transparente, shumë herë më të re në moshë”, tha ai.

Alibeaj u shpreh skeptik në lidhje me mënyrën e hartimit të statistikave dhe besueshmërisë së tyre.

“Me gjuhën e shifrave shumëkush di të bëjë një matematikë të thjeshtë për të kuptuar nëse ky është një vend i sigurtë, apo ku makthi i përditshëm mbretëron në jetën e shqiptarëve. Janë tre indikatorë, vrasjet, aksidentet dhe droga që japin fare qartë gjendjen e sigurisë këtu. Nuk është bërë transparencë me statistikat dhe ka qenë mënyrë qeverisjeje. Lidhur me vrasjet forca goditëse dhe zbuluese, nuk po them parandaluese ka rënë. Janë të paktën 12 ngjarje të bujshme që nuk janë zbuluar dhe po flasim për vrasje bankierës, biznesmenësh”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se droga e sekuestruar ka qenë në shifra alarmante.

“Kjo tregon sofistikimin e krimit në Shqipëri, krijimin në mënyrë eksponenciale të celulave të krimit dhe ajo që është më problematike është lidhja e këtyre grupeve me politikën”, vijoi ai.

Majko tha se qeveria socialiste nuk ka qenë dhe nuk është e lidhur me krimin.

“A do të ketë administrim më të mirë shqipëria pas 25 qershorit nëse fiton PS? Përgjigjja është po? A kemi identifikuar ne gabime? Përgjigjja është sërish po. Janë gjëra që ne nuk kemi ardhur t’i mohojmë këtu dhe për të thënë që ajo që kemi thënë ne gjatë katër viteve është diçka e kulluar. Vijmë me reflektim dhe për shkak të këtij reflektimi mendojmë se pas 25 qershorit Shqipëria do të qeveriset më mirë. Nëse do të ishte qeveria e lidhur me krimin, ose e kriminalizuar PD do të ishte sërish në çadër dhe nuk do të kishim ministër të Brendshëm sot një përfaqësues të PD. Njerëzit që bashkëpunojnë me krimin, nuk bëjnë marrëveshje të tilla”, tha Majko.

Ervin Salianji tha se në katër vitet e fundit, Partia Socialiste largoi profesionistët nga radhët e policisë.

“Partia Socialsite largoi profesionistët në policia dhe sot vendi renditet në nivelin më të ulët në rajon sa i përket eficencës së policisë kundër krimit dhe korrupsionit”, tha ai.

Top Channel