Tirana-Partizani luajnë për Lekbellon

15/06/2017 00:00

Familja bardheblu, ajo e ish-futbollistëve të Tiranës, janë mbledhur së bashku me disa ish-lojtarë të Partizanit dhe Kombëtares, për të zhvilluar një ndeshje bamirësie, për një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, si Artur Lekbello.

Prej kohësh, ish-futbollisti i Tiranës vuan nga një sëmundje e rrallë e muskujve. Kurimi i saj ka një kosto shumë të lartë financiare, e për këtë arsye, ish-shokët e ekipit dhe miqtë e tij janë mbledhur për të mos e lënë vetëm përballë sëmundjes.

“Dashuria dhe respekti që ka qenë gjithmonë mes nesh, u tregua edhe sot pas 27 vitesh. I falënderoj shumë për pjesëmarrjen të gjithë shokëve që kanë ardhur dhe ata që s’kishin mundësi të vinin. Të gjithë më kanë uruar për të dalë faqebardhë nga kjo betejë me këtë sëmundje”, u shpreh ish-futbollisti i Tiranës, Artur Lekbello.

Aktiviteti është bërë në një nga komplekset e minifutbollit në kryeqytet, pasi ish-klubi i tij Tirana nuk i është përgjigjur organizatorëve, madje as për t’i vënë stadiumin në dispozicion. Por, edhe pse të pranishmit ishin të paktë në numër, kontributi i tyre financiar ka qenë i konsiderueshëm.

“Janë mbledhur shumë të ardhura nga shumë njerëz, donatorë, sportdashës, që të shkojnë në shërbim të Arturit për sëmundjen që ka”, tha Millan Baci.

Pak orë pasi kishte deklaruar largimin zyrtarisht si trajner i skuadrës së Tiranës, Mirel Josa mori pjesë në këtë ndeshje bamirësie për një nga ish-shokët e skuadrës, dhe miq të ngushtë edhe përtej futbollit.

“Jemi shumë në ankth për të parë se çfarë do të bëhet me Turin. Por, duke qenë se Turi është i fortë dhe ka shumë optimizëm në jetën e tij, besoj se çdo gjë do të shkojë mirë. Besoj se ky optimizëm e ka mbajtur deri në këto momente”, deklaroi Mirel Josa.

Top Channel