Oslo, Gega vendos rekord kombëtar në 3.000 m me pengesa

15/06/2017 00:00

Luiza Gega vendos rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa. Atletja shqiptare u rendit në vendin e pestë, në ndalesën e radhës së “Diamond League”, në Oslo, teksa e përshkoi pistën me kohën 9 minuta, 26 sekonda e 5 të qindtat, duke marrë në përfundim të garës 4 pikë për renditjen e përgjithshme.

Luiza Gega, që në këtë edicion të “Diamond League” kishte garuar edhe në Shanghai, mund të kishte shënuar një rezultat më të mirë, pasi ishte shumë pranë vendit të katërt, por në çastet e fundit të garës ajo u kalua nga keniania Kirui.

Përsa u përket vendeve të para, ishin atletet afrikane ato që dominuan. Fitorja i takoi kenianes Norah Jeruto, me 9 minuta, 17 sekonda e 27 të qindtat, ndërsa vendi i dytë i takoi etiopianes Sofia Assefa, që e pa t’i ikte nga duart fitorja vetëm në metrat e fundit të garës.

Vendi i tretë i takoi një atletje europiane, Fabiene Schlumpf nga Zvicra, që me kohën 9 minuta, 21 sekonda e 61 të qindtat vendosi një rekord të ri për vendin e saj në këtë disiplinë.

Top Channel