Piktura më e famshme e botës ka frymëzuar artistin spanjoll të rrugës, Okuda, të krijojë një afresk 50 metra në një ndërtesë të Parisit, që e bën atë një ndër më të lartët në Europë.

Mona Lisa e Okudës, varianti kontemporan i kryeveprës së Leonardo da Vincit, është e mbushur me ngjyra dhe kontraste të forta, ndryshe nga imazhi i qetë që ofron Gioconda e ekspozuar në Muzeun e Luvrit.

Spanjolli, që ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Madrid, thotë se ka vizatuar një Mona Lisë, e cila i përket të gjithë botës.

“Është një vizion i ri i Giocondës, të cilën unë vet e shoh si një grua të shumë kulturave, të pikturuar mbi copëra të ndryshme që vijnë nga disa pjesë të botës”, tha Okuda, artist spanjoll.

Mona Lisa e Okudës është produkt i një sërë lëvizjesh dhe stilesh në art, e frymëzohet nga vende të tjera. Ajo paraqitet si një grua në këmbë, me minifund dhe një çantë dore.

Në ceremoninë zyrtare të prezantimit të afreskut do të jetë i pranishëm edhe kryetari i njësisë 13 të Parisit, Jerome Coumet, i cili ka luajtur një rol të madh në promovimin e artit të rrugës në zonën që mbulon.

Top Channel