PSG heq dorë nga Aubameyang

15/06/2017 00:00

U duk se kalimi i Pierre-Emerick Aubameyang te Paris Saint Germain ishte fakt i kryer, por ndodhi krejtësisht e kundërta.

Klubi parizien ka hequr dorë nga tentativa për të blerë kartonin e sulmuesit nga Gaboni, për të nisur kërkimet për një tjetër futbollist. Ai që ndikoi në ndryshimin e qëndrimit të klubit transalpin ishte drejtori i ri sportiv i tij, Antero Henrique, me motivin se Paris Saint Germain nuk mund të paguante shuma marramendëse.

Në krye të listës së dëshirave të Paris Saint Germain tani qëndron Alexis Sanchez, kontrata e të cilit me Arsenalin skadon në verën e vitit 2018, ndërkohë që Unai Emery ka një tjetër preferencë, Kylian Mbappe, të cilit i kërkoi të qëndrojë në Francë dhe të transferohet në Paris, që është edhe vendlindja e futbollistit.

Por, për Mbappe, konkurrenca është e jashtëzakonshme, pasi Reali i Madridit dhe klube nga Premier League janë gati të ofrojnë mbi 100 milionë euro për të siguruar shërbimin e talentit 18-vjeçar të Monacos.

Top Channel