Kotzias përsërit kushtin për Shkupin: Në NATO, pas “emrit”

15/06/2017 00:00

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka përjashtuar mundësinë e integrimit të Maqedonisë në aleancën ushtarake të Atlantikut të veriut, përpara se të ketë një zgjidhje për çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë.

Deklarata e tij është bërë gjatë një konference të përbashkët për shtypin me homologun e tij, Nikola Dimitrov, në vizitën e parë të këtij të fundit në Athinë, ku nuk është arritur asnjë rezultat gjatë bisedimeve të para midis dy ministrave të Jashtëm.

“Greqia kërkon që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e sistemit euroatlantik, por çështja është sesa duan vet këto vende, – ka thënë ai. – Nuk mund të kërkojnë që ne të bëjmë pas në bindjet tona, kurse ata jo, ndërkohë që iu intereson më shumë sesa neve”.

Kreu i diplomacisë greke ka deklaruar gjithashtu se, Athina kërkon që Maqedonia të bëhet anëtar i NATO-s thjesht duke u gjendur një zgjidhje kompromisi në çështjen e emrit, e menjëherë më pas dy vendet fqinje të shkojnë në OKB të nënshkruajnë një marrëveshje të re, e cila t’u deklarohet në fund në Bruksel të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Ky dialog që filloi tani, do të pasohet me vizitën e Kotzias në Shkup në muajin gusht, e sipas dy ministrave, nëse do të ketë një predispozitë pozitive nga të dyja palët, kjo do të shërbejë si garanci për zgjidhjen e çështjes në fjalë.

Por Kotzias ka theksuar se nuk mjafton vetëm predispozita pozitive, megjithëse përbën një bazë të mirë për negociatat e përbashkëta.

Top Channel