NBA, Curry: Vizita te Trump? Vendimin e merr skuadra

15/06/2017 00:00

Tek Golden State Warriors, grupi vjen para gjithçkaje dhe kjo filozofi vlen edhe kur bëhet fjalë për vendimin për të vizituar apo jo Shtëpinë e Bardhë, për të festuar titullin me Presidentin Donald Trump.

Është pikërisht kjo çështje që e ka vendosur skuadrën e saposhpallur të NBA në qendër të polemikave, me lojtarët që mundohen t’i shuajnë ato. Këto polemika shpërthyen menjëherë pas lajmeve të publikuara se Golden State e mori vendimin për të refuzuar takimin me Trump në Uashington, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së pestë me Cleveland Cavaliers.

“Nuk kemi folur akoma për këtë çështje. Kjo edhe për faktin se për momentin nuk kishim fituar ende, kështu që nuk mund të bënim planifikime. Në të kaluarën më është bërë një pyetje për këtë çështje dhe përgjigjja ime ishte se do të refuzoja ftesën. I këtij mendimi jam edhe tani, por vendimin e marrim bashkë si skuadër. Tani askush nuk duhet të na shpërqendrojë nga ajo që arritëm dhe festimet për titullin”, tha Stephen Curry.

Për momentin, Golden State nuk e ka marrë ende ftesën e Presidentit aktual amerikan, që deri tani ka pritur skuadrën kampione të NFL, New England Patriots që ishte pa Tom Brady, si dhe skuadrën kampione të futbollit të kolegjeve, Clemson. Gjithsesi, Golden State e mori një mesazh presidencial për fitimin e tituillit kampion të NBA, atë të Barack Obamës, i cili bëri urimet e tij si për Curry, ashtu edhe për Kevin Durant.

Top Channel