Ballkani ka qenë sërish temë diskutimesh në Senatin amerikan. Në seancën e mbajtur posaçërisht për rajonin, zëvendës.ndihmes Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee deklaroi se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990.

Në seancën ku foli zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan, me qëllimin të zmbrapset ndikimi rus, të shmanget përshkallëzimi i krizave, e të mbështeten reformat dhe stabiliteti.

Yee tha se, nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze edhe për vet Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Ai përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

“Me angazhimin tonë dhe të Europës, gjatë muajit të kaluar kemi parë disa suksese reale. Hyrja e Malit të Zi në NATO; udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re; opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i japë fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor; ndërsa Serbia pritet të hapë dy kapituj të rinj me Bashkimin Europian këtë muaj”, tha Hoyt Brian Yee.

Edhe kryetari republikan i nënkomisionit, Ron Johnson, që sapo ka bërë një vizitë në rajon, këmbënguli se udhëheqësia amerikane është e nevojshme në Europën Juglindore, duke shtuar se stabiliteti i Ballkanit është në interesin e Shteteve të Bashkuara.

Për vet nënkryetarin e panelit, demokratin Chris Murphy, në Ballkan gërshetohen 3 sfida të mëdha të Amerikës: ajo e ndikimit rus, korrupsioni që frenon përparimin ekonomik dhe destablizon qeveritë në rajon, si dhe radikalizimi në rritje i të rinjve.

Top Channel