“Teknikët” po gabojnë, Strakosha: Shkarkimet, tejkalim kompetencash

14/06/2017 00:00

Urdhrat e ministrave teknike për pezullim të disa punonjësve në ministri, apo në institucione të varësisë janë të jashtëligjshme dhe  nuk mund të zbatohen.

“Urdhrat e nxjerra nga ministrat janë në tejkalim të kompetencave të Kodit të Procedurës Administrative, janë absolutisht të pavlefshëm dhe si të tillë nuk sjellin pasoja. Pretendohet se ka raste të pezullimit sipas përcaktimit të ligjit,  por ka struktura të tjera tjera që mund t’i pezullojnë, si njësitë e burimeve njerëzore për nëpunësit e thjeshtë dhe të mesëm dhe Komisioni KOmbëtar i Përzgjedhjes në rastin e sekretarëve të përgjithshëm”, thotë Pranvera Strakosha, Komisionere e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil.

Komisionerja Strakosha ka kërkuar kthimin në punë të rasteve të pezulluara.

“Kemi dy vendime të dala të Komisionerit, ku kemi kërkuar në një rast nga Ministria e Drejtësisë dhe në rastin tjetër nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, anulimin, konstatimin e pavlefshmërisë absolute të këtyre rasteve dhe kthimin e këtyre punonjësve në vendin e punës”, thotë Komisionerja.

Strakosha konsideron të paligjshëm edhe vendimin e ministres së Arsimit, Karabina për pezullimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Plarent Ndreca një ditë më parë.

“Edhe ky akt është i pavlefshëm dhe kam kërkuar nga ministrja në mënyrë urgjente që të konstatojë pavlefshmërinë e tij dhe të anulojë pasojat, pasi në këtë urdhër, ajo të gjitha kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm ja ka kaluar vetes, në një kohë që nuk ka asnjë kompetencë që të administrojë shërbimin civil”, thotë Strakosha.

Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil është duke monitoruar të gjithë situatën. Ky institucion i pavarur ka  në kompetencën e vet t’u kërkojë ministrave kthimin e urdhrave dhe në rast të moszbatimit i ndëshkon ata me gjobë duke filluar me  30 përqind të pagës së tyre.

Top Channel