Haradinaj i ftoi për koalicion, LDK: Kurrë me PDK-në

14/06/2017 00:00

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës nuk është certifikuar ende, por enigmat janë zbardhur. Fitues ka dalë koalicioni mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, me kandidat për Kryeministër, Ramush Haradinajn.

Por fitorja “si e Pirros” nuk i ka siguruar mandatet e nevojshme këtij koalicioni për të formuar i vetëm qeverinë e re, madje 61 mandate nuk i bën as me minoritetet.

Ramush Haradinaj deklaroi në Top Story të hënën se nuk përjashton asnjë mundësi koalicioni me LDK-në. Ai tha se bisedimet nuk kanë nisur ende, por u shpreh i bindur se do të arrijë që në fund të krijojë mazhorancën që i duhet.

Por vetë Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë që të mbështesë qeverinë e re të koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga LDK-së deklarimet e Haradinajt se do të bisedojë për koalicion me të, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin e të gjitha strukturave të LDK-së, partnerëve të saj dhe elektoratit që e mbështet, i cili më 11 qershor me votë plebishitare vendosi për ta dërguar PDK-në në opozitë.

“Koalicioni në fjalë ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet. Haradinaj kërkon bashkëpunim me LDK-në për ta mbajtur PDK-në në pushtet”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Top Channel