Pas De Biasit vjen Tramezzani? Duka: Nuk ua mbyllim derën shqiptarëve

14/06/2017 00:00

Largimi i trajnerit italian, Gianni De Biasi, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundi i kualifikueseve, ka ngritur shqetësimin e zëvendësuesit të tij, të përkohshëm apo afatgjatë.

Emri i parë që presidenti Duka e përmend si kandidaturë është ai i Paolo Tramezzanit, ish-zëvendësit të De Biasit.

“Mund të jetë dhe Tramezzani, por të them të vërtetën nuk jam i papërgatitur për këtë gjë në këto momente. Do të konsultohem me stafin tim teknik për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë”, tha Armand Duka.

Ndërkohë që, për herë të parë pas shumë vitesh, presidenti Duka është i hapur edhe për trajnerët shqiptarë.

“Nuk mund t’ua mbyllim derën trajnerëve shqiptarë, nuk ua kam mbyllur ndonjëherë”, tha Armand Duka.

Dhe kur mendon për të tillë, të vjen ndërmend brezi i ri që qëndruan në kaq vite pranë Gianni De Biasit, duke filluar nga Alban Bushi, trajneri aktual i ekipit Shpresa, te Erjon Bogdani, trajneri i Kombëtares U19, e deri tek Ervin Bulku, ndihmësi i vetëm dhe i fundit që italiani kishte pranë dhe po e lë po aty në stol.

E megjithatë, trajneri nuk është i larguari i vetëm i këtij grupi drejtuesish të përfaqësueses kuqezi.

Së bashku me të do të largohet të paktën i gjithë stafi italian, nga zëvendëstrajneri Marko Vernoze, te përgatitësi altetik Alberto Bele, doktori Gianluca Stesina, ndihmësi i tij Filo Lori e përgatitësi atletik. Një boshllëk i madh i krijuar në momentin më entuziast kuqezi, e që do të ndikjojë jo pak në mbylljen e këtyre kualifikueseve.

Top Channel