Reali i del në mbrojtje Ronaldos. U padit për evazion

14/06/2017 00:00

Reali i Madridit del në mbrojtje të Cristiano Ronaldos, i cili është paditur nga Prokuroria spanjolle për evazion fiskal prej 14.7 milionë eurosh, që do të thotë se portugezi rrezikon të dënohet nga 2 deri në 7 vite burg.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi “merengues” ka deklaruar se sulmuesi 32-vjeçar do të jetë në gjendje që të vërtetojë pafajësinë e tij. Sipas deklaratës së Realit të Madridit, Ronaldo, që nga viti 2009 kur u transferua te klubi spanjoll, ka shfaqur vullnetin për të përmbushur të gjitha detyrimet fiskale kundrejt shtetit iberik.

Reali i Madridit ka dalë në mbrojtje të Ronaldos edhe në muajin dhjetor, pas informacioneve që u zbuluan nga hetimi i disa prej medieve europiane, sipas të cilave, luzitani ka kryer një evazion fiskal prej 150 milionë eurosh, shifër të cilën ai e kaloi në llogari të shoqërive të krijuara në vende të ashtuquajtura parajsa fiskale.

Top Channel