Roma i beson stolin Di Francesco-s, vjen mbrojtësi Moreno

14/06/2017 00:00

Ish trajneri i Sassuolos, Eusebio Di Francesco do të jetë personi i përzgjedhur për të stërvitur ekipin e Romës.

Ai u prezantua nga drejtori i ri sportiv, i verdhekuqve, Monchi dhe ka nënshkruar një kontratë që e lidh me Romën, deri në qershor të 2019-ës.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Romë, për të stërvitur një skuadër që do të thotë shumë, për mua. Monchi më ka folur që në fillim për futbollin dhe kjo është ajo që unë dua të bëj më së shumti. Falenderoj presidentin Pallotta dhe drejtuesit e klubit, që më besuan drejtimin e ekipit. Sistemi i m i preferuar i lojës, është 4-3-3, por mbi të gjitha, preferoj të luaj gjithmonë me katër mbrojtësa”, tha Di Francesco.

Eusebio Di Francesco, prej pesë vitesh ka drejtuar Sassuolo-n, ndërsa më herët ka pasur eksperienca të shkurtra edhe te Lecce dhe Pescara.

Krahas Di Francescos, Roma ka zyrtarizuar edhe afrimin e parë të merkatos së kësaj vere. Bëhet fjalë për mbrojtësin meksikan Hector Moreno, 29 vjeçar, i cili së fundi është aktivizuar me holandezët e PSV-së.

Top Channel