Argjentina mposht me rezultat tenistik Singaporin në miqësore

13/06/2017 00:00

Argjentina iu përgjigj edhe më mirë “pokerit” të Brazilit ndaj Australisë, duke e kthyer në një rezultat tenistik miqësoren e saj ndaj Singaporit.

“Selección”-i i drejtuar nga trajneri Jorge Sampaoli shkatërroi 6-0 përfaqësuesen vendase të futbollit në një ndeshje pa shumë histori.

Ndaj një rivali modest si Singapori, e me synimin për të eksperimentuar sa më shumë me elementë të rinj, trajneri i Argjentinës shpiku një modul supersulmues me Dybala, Papu Gomez, Di Maria e Correa, të gjithë në të njëjtën kohë në fushë.

U desh minuta e 25-të për golin e parë, kur Facio i pamarkuar në zonë gjeti avantazhin me të djathtën. Pak minuta më vonë, Correa dyfishoi rezultatin, duke i hapur rrugë festivalit të golave.

Miqësorja në stadiumin kombëtar të Singaporit u luajt thuajse me një portë, madje i dha mundësinë Papu Gomezit të debutonte me gol me fanellën e “Seleccion”-it. “Pokeri” u shty vetëm për pak, me autor Paredes, ndërsa argjentinasit asfaltuan Singaporin edhe me Alarion e Di Marian në shtesë.

Tifozët e ekipit amerikano-latin kanë nisur të ëndërrojnë me një bilanc mbresëlënës të Sampaolit: dy ndeshje, 7 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Top Channel