Zgjedhjet në Kosovë, koalicioni i krerëve të UÇK del në krye

12/06/2017 00:00

Zgjedhjet e Kosovës pritet të kenë zyrtarizimin e rezultateve brenda dy javësh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nga numri përfundimtar varen edhe emrat e kandidatëve për deputet që kanë arritur të jenë pjesë e parlamentit pasi për ta është votuar me lista të hapura.

Rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një situatë të re në të cilën koalicioni i krerëve të UÇK-së, pavarësisht se është fitues i zgjedhjeve, do të duhet të bëj përllogaritjet mirë për të qeverisur.

Analisti Ymer Mushkolaj, thotë se zgjidhja nuk do të jetë e lehtë për asnjërin grup.

“Fatkeqësisht ky rezultat nuk na siguron që institucionet do të krijohen shpejt, përkundrazi pres një zvarritje për krijimin e institucioneve. Edhe nëse koalicioni fitues mund të krijojë një shumicë parlamentare me minoritetet, nuk i nevojitet vendit”, shprehet Ymer Mushkolaj, analist.

Lëvizja Vetëvendosje është hapur e orientuar kundër Partisë Demokratike të Kosovës. Kurse të zemëruar janë edhe me Ramush Haradinajn, me të cilin pas zgjedhjeve të shkuara ishin në një bllok politik.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kryesuar nga Isa Mustafa, pritet të renditet e treta. Kjo parti ka mbajtur një takim me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli dhe janë zotuar se nuk do të jenë në asnjë qeveri me PDK-në.

Mushkolaj thotë se skena politike e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë njësoj.

“Jemi në një situatë tërësisht të re, ku shtetarët të jenë më këmbëngulës për të krijuar përgjegjësi nga ata që i kanë votuar. Pastaj nëse kjo përgjegjësi nuk arrihet, t’i ndëshkojnë në kutitë e ndëshkimit”, thotë Mushkolaj.

Përqindja e serbëve në Kosovë është një nga faktorët e rëndësishëm pasi përfaqësuesit e tyre kanë qenë pjesë e qeverisë. Por, fushata e tyre ka qenë kundër ushtrisë së Kosovës, si premtim i çdo partie shqiptare në Kosovë.

Top Channel