Anglia kundër Francës, Southgate paralajmëron rotacion

12/06/2017 00:00

Kombëtarja angleze e futbollit do të zhvillojë këtë të martë në mbrëmje një miqësore luksi me rivalët e vjetër francezë, në një 90 minutësh ku trajneri Gareth Southgate paralajmëroi rotacion.

Ndryshimet në formacionin e “Tre luanëve” do të nisin nga porta me dy protagonistë të ndryshëm për secilën pjesë loje, në fillim me aktivizimin e Tom Heaton dhe më pas me mbrojtësin ekstrem të Stoke, Jack Butland.

Tekniku i skuadrës ishullore shmangu aludimet se në këtë mënyrë ndëshkoi portierin titullar Hart për golat në barazimin 2-2 me Skocinë.

“Tom ka patur një sezon fantastik dhe ne duhet të përfshijmë të gjithë lojtarët, duhet ti japim atyre mundësi të tregojnë veten me kombëtaren përmes minutave. Franca shquhet për talente në ekipet e moshave dhe profilin atletik. Na shkakton më shumë probleme se çdo rival tjetër”, tha trajneri Southgate.

Harry Kane do të mbajë sërish shiritin e kapitenit të Anglisë ndaj seleksionit francez ku pritet të luajë dhe talenti i Monako, Kylian Mbappe. Lojtarët në dy ekipet do mbajnë shirit të zi në krah dhe një minutë heshtje në nder të viktimave nga sulmet terroriste së fundmi.

Top Channel