Njeriu është një natyrë kurioze dhe gjithmonë ka ngritur sytë nga qielli gjithnjë i etur për të mësuar sa më shumë rreth tij.

Por sa më shumë mësohet rreth hapësirës, aq më shumë duhet të frikësohemi. Të paktën kështu paralajmëron Akademia Çeke e Shkencave, që thotë se ka vrojtuar së fundmi atë që njihet si grupi i meteorëve Tauridë.

Tauridët janë meteorë të madhësive të vogla përmes të cilëve Toka kalon një herë në vit, duke shkaktuar atë që njihet si “shiu i meteorëve”, një fenomen që regjistrohet në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit.

Akademia Çeke e Shkencave thotë se pjesa më e madhe e këtyre meteorëve nuk përbëjnë rrezik për Tokën, pasi shpërbëhen lehtësisht në momentin që futen në atmosferën tonë. Por në vrojtimet e fundit shkencëtarët çekë thonë se kanë zbuluar edhe meteorë me diametër rreth 300 metra.

Studiuesit çekë thonë se nëse ky meteor do të binte në Tokë do të kishte pasoja fatale dhe si shembull kujtojnë rastin e meteorit që ra në Chelyabinsk të Rusisë më 2013, që kishte një gjerësi vetëm 20 metra dhe shkaktoi një përplasje të fuqishme në zonën ku goditi, duke shkaktuar dëme në 7200 ndërtesa dhe plagosjen e lehtë të 1400 personave në një rreze prej disa kilometrash.

Studimi është publikuar në revistën shkencore “Astronomy and Astrophisics” dhe në të, autorët e studimit e quajnë “lotari” mundësinë që Toka të përballet me një skenar të tillë apo jo. 

Tauridët lidhen me kometën Encke dhe besohet se dikur kanë qenë pjesë e një komete më të madhe, që është shpërbërë në miliona meteorë dhe një kometë më të vogël rreth 20-30 mijë vite më parë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel