Andre Silva, zyrtarisht te Milan: Pasardhësi i CR7? Më duhet të punoj

12/06/2017 00:00

Andre Silva është zyrtarisht një futbollist i Milanit. Konfirmimi ka ardhur nga vet klubi kuqezi, përmes një njoftimi në rrjetin social “Tëitter”, ku shfaqet edhe fotoja e momentit të hedhjes së firmës së lojtarit portugez, ish-pjesë e Portos, në kontratën e re.

Sulmuesi ka firmosur për 5 vitet e ardhshme me Milanin, ndërsa drejtori i përgjithshëm i kuqezinjve, Marco Fassone e ka quajtur “yllin e ri të klubit”. Pas këtij përforcimi, që është i katërti brenda pak ditëve për sezonin e ardhshëm, Fassone duket se i ka mbyllur dyert merkatos së Milanit.

“Premtuam se do t’i ofronim trajnerit Montella thuajse 2/3-tën e ekipit përpara se të nisë grumbullimi, e duket se jemi në rrugën e duhur, qoftë sa i përket prurjeve si numër, ashtu edhe si cilësi. Tashmë do të reflektojmë me qetësi për gjërat e tjera që do të duhet të bëjmë në vazhdim”, tha drejtori i përgjithshëm i “djallit”.

Ndërkohë, vet sulmuesi premtues është shprehur se tashmë e ka bërë ëndrrën realitet.

“Jam surprizuar dhe isha tepër i gëzuar kur më erdhi kjo mundësi. Jam i lumtur që jam këtu, te Milani, gjë që ka qenë një ëndërr për mua. E njoh historinë dhe madhështinë e këtij klubi. Por të qenit pjesë e tij është thjesht fillimi, pasi nga tani e tutje do të përpiqem të jap më të mirën për këto ngjyra, për të fituar me këtë fanellë të madhe”, tha Andre Silva.

Portugezi kreu vizitat mjekësore mëngjesin e sotëm. I pyetur mbi emërtesën që e konsideron atë si pasardhësin e Cristiano Ronaldos, vet lojtari qetësoi ujërat.

“Qetësi, kam ende shumë punë për të bërë përpara, për të arritur të mendoj diçka të tillë. Nuk kam folur me të përpara këtij transferimi, por dua të punojë fort për t’iu afruar sadopak fjalëve që ai ka shprehur për mua”.

Ronaldo, në fakt, i ka dërguar një mesazh kuqezinjve, duke i përgëzuar këtë blerje të re. “Po merrni një lojtar të madh”. Vetëm pak minuta më vonë erdhi edhe njoftimi nga krahu tjetër, teksa Porto përshëndeti për herë të fundit ish-asin e saj.

Top Channel