Donnarumma kërkon shtëpi në Milano

12/06/2017 00:00

Gianluigi Donnarumma e ka bërë zgjedhjen e tij: do të qëndrojë te Milani. Në një intervistë për revistën “GQ”, portieri 18-vjeçar ka folur për gjithçka, duke konfirmuar edhe qëndrimin e tij.

“Po kërkoj shtëpi në Milano. Dua një apartament të madh që të ketë hapësirë për të gjithë të dashurit e mi dhe duke qenë se qendra e Milanos është shumë e bukur, do ta kërkoj aty banesën time. Jam gati”, tha Donnarumma, i cili përmendi edhe bisedimet për kontratën e re me kuqezinjtë.

“Jam i qetë sepse të gjitha palët e përfshirë në këto bisedime e dinë se cila është dëshira ime. Me Mino e Enzo Raiolën e familjen time, formojmë një skuadër”, shtoi Donnarumma.

I cilësuar prej kohësh si pasuesi ideal i Buffon në përfaqësuesen italiane, Donnarumma largon çdo hipotezë të rivalitetit me legjendën bardhezi.

“Buffon është një mit, personi klasik që është në gjendje të të bëjë për vete. Mua më ka dhënë shumë këshilla. Kur stërvitemi bashkë mundohem t’i vjedh sekretet e tij si portier, sepse teknikisht është fantastik”, tha Donnarumma.

Top Channel