F1, Hamilton: Kishim nevojë për fitoren në Kanada

12/06/2017 00:00

Lewis Hamilton e fshiu njëherë e mirë paraqitjen jo të mirë në garën e Monakos në Formulën 1, me një triumf të lehtë të pistën e Montrealit në Kanada.

Piloti britanik i Mercedesit, që e shkurton në vetëm 12 pikë diferencën me Sebastian Vettel, nuk e fshehu aspak entuziazmin e tij për këtë fitore, e treta për të në këtë sezon.

“Kjo garë është gjithnjë speciale për mua. Jam përballë një publiku fantastik. U bë një punë e madhe edhe nga Valtteri Bottas dhe të dy së bashku grumbulluam shumë pikë. Kishim nevojë për një rezultat të tillë pas Montekarlos. Jam vërtet krenar për atë çfarë bëmë”, tha Hamilton.

Ndërsa rivali i tij, Sebastian Vettel nuk mund të ndiente gjë tjetër veçse zhënjim për këtë garë. Piloti gjerman i Ferrarit pranoi se nuk bëri një nisje shumë të mirë të garës, por shtoi se meritonte diçka më shumë.

“Nuk u nisa mirë, por jo edhe shumë keq në këtë garë. U befasova nga Bottas, ndërkohë që është për t’u diskutuar edhe fakti që Verstappen duhej të më kishte lënë më shumë hapësirë. Më vjen keq që nuk e kapa dot vendin e tretë. Gjithsesi ishte një garë e bukur dhe ndoshta më argëtuese sesa të tjerat. Mund të bënim më mirë, por jemi të ndërgjegjshëm se jemi të fortë dhe konkurrues”, tha Vettel.

Top Channel