Lulzim Basha u shpjegoi nga afër qytetarëve të zonës së unazës së re në kryeqytet,  planin ekonomik që sipas tij do të krijojë vende pune e do nxisë prodhimin.

Bizneseve Basha u tha se nuk do të shqetësohen me nga tatimorët.

“Nuk do shohësh më inspektor me sy. Vetëm po erdhi jashtë orarit të punës, të blejë byrekë, përndryshe, po erdhi me detyrë zyrtare dhe u fut brenda biznesit, kur ti ke pullën aty, ai shkon për ndjekje penale”, tha Basha.
 
Edhe studentët dëgjuan nga Basha planin për ta anuluar ligjin e arsimit të lartë.

“Do të ulim tarifat, edhe për programin Bachelor, edhe për atë Master. E kam shpjeguar, vendimi i parë që do marr, është anullimi i ligjit për arsimin e lartë”, premtoi Basha.

Moshës së tretë Basha i premtoi rritjen e mënjehershme të pensioneve.

“Ta nisim që këtë vit rritjen e pensioneve dhe synimi është që t’i çojmë 25 mijë lekë, pensionin në qytet dhe në fshat’, u shpreh Basha.

Investimet kryesore për Bashën duhen bërë tek fëmijët që janë a ardhma.

“Ne duhet të zhvendosim shpenzimet, nga shpenzime luksi për zyra, nga tendera e konçensione që i marrin një grusht njerëzish, te fëmijët e shqiptarëve”, tha lideri i PD-së.

Top Channel