Rama në Roskovec: Rrogat do të rriten 40% në katër vitet e ardhshme

11/06/2017 00:00

Partia Socialiste vazhdoi fushatën e saj elektorale në Roskovec, nga ku Kryeministri i vendit, Edi Rama premtoi se në katër vitet e ardhshme rritja ekonomike do të shkojë deri në 5.5 përqind, ndërsa premtoi rritje të pagave deri në 40 përqind.

“Jemi të bindur se mund ta çojmë ekonominë tonë mbi 5.5 përqind nëse na jepni timonin. Ne jemi të bindur se rrogat minimale do ta çojmë në 300 mijë lekë, se do të rrisim çdo ditë pensionet. Ne jemi të bindur se duke hequr taksën mbi vlerën e shtuar dhe duke kthyer subvencionin për fermerët në një sistem të drejt, do t’i japim çdo fermeri mundësinë që të ngrihet ekonomikisht si asnjë herë më parë. Ne jemi të bindur se rrogat do t’i rrisim 40 përqind në 4 vitet e ardhshme. Rilindja urbane do të shtrihet në njësitë administrative, deri në fshatin më të largët. Ripërtëritja e sistemit arsimor do të vazhdojë, vetëm nëse ju nuk i lejonin partitë e tjera që të mos fusin duart”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Partia Socialiste është e vetmja që bën punë dhe kërkon të bëjë shtet. “E vetmja forcë që bën punë, bën shtet dhe kërkon të rrisë mirëqenien është Partia Socialiste. Ne nuk jemi në një garë me partitë e tjera, por në një garë drejt së ardhmes për të shpejtuar dhe garantuar që flamuri kuqezi i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do të ngrihet krenar në familjen e bashkuar europiane”, tha Rama.

Top Channel