Demarkacioni dhe zgjedhjet, zgjidhja që ofrojnë udhëheqësit

11/06/2017 00:00

Ramiz Dreshaj është 76 vjeç dhe është rritur në malet e Rugovës. Në vendin e origjinës, ku kanë ngelur pak banorë, punon me familjen e thotë se prej kur mban mend, kufiri ka qenë në majat e malit.

“Na e kanë marrë të gjithën. Na kanë mbetur vetëm 10 apo 15 hektarë. S’ka bërë vaki, por edhe liqenin mundet të ndahet”, tha Ramiz Dreshaj, banor i Leqinatit.

Kjo zonë tani shërben më shumë për turizëm. Banorët, ndër vite kanë ikur në qytet për të jetuar.

Problemi i kësaj zone u kthye në një bllokadë institucionale, pasi njëra palë beson se kufiri ka qenë në zonën e quajtur Qakorr, ndërsa tjetra thotë se nuk kishte dokumente, pasi një pjesë e tatimeve i janë paguar Malit të Zi në shtetin e përbashkët të ish-Jugosllavisë.

Përfaqësuesit e zonës janë futur në garë për deputetë në Lëvizjen Vetëvendosje. Shpesh vizitojnë këtë pjesë, e thonë se rugovasit nuk do të heqin dorë kurrë, pavarësisht nëse fitojnë apo jo. E rëndësishme për ta është të rishikohet demarkacioni me çdo kusht.

“Nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë dhe ma merr mendja se nuk do të vijohet me atë qeveri”, thotë një prej kandidatëve.

“Ky variant të ndalohet dhe do të ndalet siç ka ndodhur deri më tani. Do të rinegociohet me Malin e Zi dhe do të rikthehen pikat në kufi atje ku duhen”, thotë një tjetër kandidat.

Ramush Haradinaj, i cili ka qenë i zëshëm për këtë çështje, u nda nga Vetëvendosja dhe mori mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër. PDK-ja ka qenë në qeveri kur është nënshkruar demarkacioni.

Megjithatë, në Pejë Haradinaj premtoi se nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Nuk ka post e nuk ka pushtet që më detyron mua të tërhiqem. Nuk ka forcë që më bind se kufiri duhet me u zhvendos nga Qafa e Qakorrit”, tha Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se këtë çështje do ta shqyrtojë me partnerët e koalicionit pas zgjedhjeve, por me kujdes do të punojë për zgjidhjen e saj.

“Për diçka mund t’i siguroj të gjithë se, PDK do t’i trajtojë me prioritet çështjet që janë në interes të vendit, e që lidhen edhe me kriteret që kanë të bëjnë me proceset integruese apo me liberalizimin e vizave. Jam i sigurtë se, edhe me partnerët e koalicionit, me të njëjtën interes dhe seriozitet do t’i trajtojmë këto çështje”, tha Zenun Pajaziti, Partia Demokratike e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë pro ratifikimit, por gjatë fushatës nuk e kanë theksuar si temë. Bashkimi Europian ka kërkuar që të votohet demarkacioni.

Por për një qytetar nga Rugova, me rëndësi është që të gjithë udhëheqësit e Kosovës të kenë sytë hapur në drejtimin e vendit.

“Nëse do të ishin njerëzit njerëz dhe të pakorruptuar, ky vend do të ishte bërë Zvicër”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës pati deklaruar se Kosova nuk ka humbur territor. Por deri në votim, kilometrat e territorit të saj variojnë dhe qytetarët ende duhet të kërkojnë viza.

Top Channel