Ndaj Izraelit, De Biasi i kthehet skemës klasike. Në portë, Strakosha

11/06/2017 00:00

Mbrëmjen e sotme, Shqipëria do të luajë ndeshjen më të rëndësishme të kualifikueseve të Botërorit “Rusi 2018”, atë përballë Izraelit.

Humbja e fundit me Luksemburgun e ka futur në një situatë të paqartë skuadrën dhe trajnerin, për të cilin flitet që kjo mund të jetë edhe ndeshja e fundit.

Trajneri italian, ndryshe nga ndeshja miqësore, këtë herë i është kthyer skemës besnike të tij 4-1-4-1. Me mungesën e Berishës, kapitenit Ansi Agollit dhe Bekim Balajt, De Diasi është munduar deri diku të përshtatet.

Në portë do të jetë Thomas Strakosha, ndërkohë në repartin e mbrojtjes, i vetmi ndryshim është aktivizimi i Alijit në vend të Agollit, në krahun e majtë, e pjesa tjetër është e njëjta me Hysaj, Gjimshiti dhe Mavraj.

Përpara mbrotjes do të luajë Burim Kukeli, ndërkohë që katërshja e mesfushës përbëhet nga Roshi dhe Hyka në krahë, më pas Abrashi dhe Memushaj në qendër.

Ndërkohë që pika e referimit të sulmit për këtë ndeshje do të jetë Armando Sadiku, i cili mbetet më i preferuar për trajnerin italian sesa Sokol Cikalleshi, pavarësisht formës shumë të mirë që ky i fundit po kalon në kampionati turk.

Aktualisht pas 5 ndeshjesh, Shqiperia është në kuotën e 6 pikëve, në vendin e katërt në grup, 3 më pak sesa Izraeli i vendit të tretë. Ndeshja e mbrëmjes së sotme, Izrael-Shqipëri do të transmetohet drejtpëdrejt në SuperSport, në orën 20:45.

Top Channel