Kosovë, votojnë udhëheqësit: Qytetarët të vendosin për fatin e tyre

11/06/2017 00:00

Udhëheqësit e Kosovës votuan që në orët e para të mëngjesit. Porositë e tyre ishin për një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik, duke shpresuar që vota e qytetarëve do t’u sjellë mundësinë për një qeverisje të mirë.

I pari nga krerët kosovarë votoi Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Krerët e politikës ftuan qytetarët të votojnë.

“Ky votim i sotëm ka peshën e vet për 4 vite, kështu që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të gjithë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Ftoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces zgjedhor, që të respektojnë rregullat. Ftoj qytetarët që të votojnë, sepse është një e drejtë e tyre kushtetuese për të vendosur për të ardhmen e vet atyre dhe familjeve të tyre”, tha Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK.

“Sot nuk ka as reshje shiu për të qëndruar në shtëpi, nuk është as vapë për t’u larguar jashtë vendbanimeve ku jetojnë njerëzit. Kështu që të gjithë qytetarëve u jap urimet për këtë festë të demokracisë”, tha Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes.

Pasi harroi kartën e identitetit, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli votoi dhe bëri thirrje te qytetarët që të dalin sa më shumë në zgjedhje.

“Qytetarët tanë le të votojnë lirshëm për shtetin e tyre, për sovranitetin, për zhvillimin ekonomik. Për këtë të fundit më shumë”, tha Kadri Veseli, kryetar i PDK-së.

Porositë e tij për zgjedhjet, pas votimit i dha edhe presidenti Hashim Thaçi.

“Ftoj të gjithë qytetarët pa dallime politike apo etnike, që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për të ardhmen e tyre”, tha Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian thanë se ky do të jetë edhe një test për procesin zgjedhor dhe vëzhgimi i tyre është i vazhdueshëm.

Top Channel