Premtimet e Bashës për laçianët: Falim kamatvonesat

10/06/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar faljen e kamatvonesave dhe rishikim të çmimit të energjisë. Në një takim elektoral me banorët e Laçit, kreu demokrat tha se vendimi për faljen e kamatvonesave është marrë dhe do të zbatohet që ne muajin e parë të mandatit qeverisës.

“Dua t’i them çdo shqiptari se do të marrë fund një nga padrejtësitë më të madh që lidhet me një nga skemat më korruptive, siç ishte 600 milionëshi i CEZ-it. Me këto para, Edi Rama dorovit miqtë e tij, oligarkët, që bëjnë zyra 7-8 mil për CEZ-in, ndërkohë që ju dergjeni në errësirë se nuk paguani dot faturën. Kjo do të marrë fund, për kamatvonesat, vendimi është marrë dhe nuk do paguajnë më kamatvonesat. Do të shkojmë drejt rishikimit të çmimit të energjisë. Do të marrin fund brenda muajit të parë të të mandatit”, tha Basha.

Basha tha se Edi Rama ndërsa dështoi në përmbushjen e premtimeve që bëri para 4 vjetësh, po bën fushatë me premtime të reja tërësisht të parealizueshme. Por sipas Bashës, programi që PD iu prezanton qytetarëve, nuk është i bazuar mbi premtime, pasi është një program ekonomik për njerëzit e thjeshtë. Ai ftoi Ramën të mos i shmanget debatit për ballafaqimin e programeve elektorale.

“Edi Rama dhe Ilir Meta, për 4 vjet hëngrën llokmën e pushtetit. Edi Rama po vjen me premtime të reja të parealizueshme, sepse është i shkëputur nga realiteti. Unë nuk kam premtime, por një program ekonomik. Ke 3 jave qe merresh me programin tim, eja ne debat me premtimet e t’ua dhe bilancin tënd, për ekonominë e fortë. Mos ki frikë, por ka frikë nga e vërteta. Njerëzit e thjeshtë nuk i trukon dot. Eja në debat përballu me të vërtetën. Punësim, taksa të ulëta, ekonomia do jetë beteja jonë. Plani ynë do funksionojë siç ka funksionuar në Europë, kemi ekipin dhe zgjidhjen që kjo të funksionojë”, u shpreh kreu i PD.

Basha ftoi laçianët që në 25 qershor të votojnë për Partinë Demokratike  për t’i dhënë fund republikës së politikanëve, me qëllim që të nisë republika e qytetarëve.

Më herët, kreu i PD-së ishte edhe në Lezhë ku foli për gratë dhe fëmijët si ata që vuajnë më shumë nga papunësia, shëndetësia e shkatërruar dhe arsimi i rrënuar. “Gratë dhe fëmijët e Lezhës do të jenë përfituesit kryesorë të planit tim për një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt”, tha basha .

Top Channel