De Biasi: Ndaj Izraelit për fitore. Mavraj: Humbjet, faji ynë

10/06/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare do të luajë të dielën sfidën shumë te rëndësishme me Izraelin për Eliminatoret e Botërorit 2018, ku për kuqezinjtë i vetmi rezultat që vlen për t’i shpëtuar sezonin është fitorja, gjë që e ka theksuar edhe trajneri Gianni De Biasi në konferencën për shtyp 24 orë përpara ndeshjes.

“Çdo ndeshje mund të fitohet. Gjithçka varet nga mënyra sesi i përgatit, sjellja e lojtarëve, dëshira, kujdesi dhe interpretimi i lojës. Duhet dhënë maksimumi dhe të bëjmë më mirë se kundërshtari. Dua të shoh që skuadra të luajë si një grup i vetëm siç ka bërë këto 2 vjet duke u hapur punë edhe kundërshtarëve më të fortë. Në këtë ndeshje do të hyjmë për të fituar  në mënyrë që të mos kompromentohet vendi i tretë. Konkluzionet arrihen në fund të betejës dhe jo gjatë saj”, u shpreh trajneri i kombëtares.

Trajneri De Biasi gjithashtu nuk ka harruar akoma atë që ndodhi në Luksemburg duke kritikuar  sërish lojtarët që  kishte aktivizuar për t’i provuar për këtë ndeshje zyrtare. Ndërkohë kapiten i kombëtares edhe për ndeshjen me Izraelin do të jetë Mërgim Mavraj, i cili ka shfrytëzuar këtë konferencë për të bërë “mea culpa”.

“Në këto eliminatore golat që kemi pësuar kanë ardhur më shumë nga gabimet tona sesa për meritë të kundërshtarit. Nuk duhet vetëm të mbrojmë por edhe të krijojmë lojë dhe në këtë pikë duhet të përmirësohemi. Për sa i përket shiritit nuk më intereson aq sa mendimi dhe qëllimi i përbashkët i skuadre. Dëshira ime për ndeshjen me Izraelin është që të falim faqebardhë”, tha Mavraj.

Top Channel