Kosovë, prokurorët në zgjedhje. Do vëzhgojnë procesin e votimit

10/06/2017 00:00

Veç strukturave të policisë, në zgjedhjet e së dielës në Kosovë do të jenë në terren dhe një numër i madh prokurorësh, për të mbikëqyrur çdo parregullësi gjatë procesit të votimit dhe atij të numërimit.

“Janë 100 prokurorë të shpërndarë në 38 komuna të Kosovës. Ata do të bashkëpunojnë me hetues të policisë dhe nëse ka një shkelje me elementë të veprës penale, për të cilën informohet policia e më pas prokurori, ai person do të arrestohet menjëherë”, deklaron prokurorja Laura Pula.

Prokurorja Pula, njëkohësisht koordinatore kombëtare për zgjedhjet, i adreson dhe një mesazh të gjithë votuesve.

“Apelojmë të gjithë qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë tek prokurorët përkatës në terren të gjitha parregullësitë e mundshme për manipulim apo cënim të procesit zgjedhor. Të gjithë manipuluesve iu them se vota është e shenjtë, e pacënueshme dhe ne do të jemi të pakompromis”, thotë Pula.

Top Channel