Spanja në Eliminatore me makthin e kartonëve të verdhë

10/06/2017 00:00

Ndeshja me Italinë do të jetë në 2 shtator, por te Spanja po bien sirenat e alarmit. 6 prej futbollistëve më të rëndësishëm të saj rrezikojnë të humbasin këtë përballje të rëndësishme me “të kaltrit” për shkak kartonësh.

Behet fjalë pikërisht për Busquets, Diego Costa, Pique, Sergio Ramos , Thiago dhe Vitolo. Këtë të diel “La Roja” do të luajë ndaj Maqedonisë dhe nëse këta futbollistë do të ndëshkohen me karton të verdhë atëherë do të mbeten jashtë sfidës së 2 shtatorit.

Spanja ndodhet në Grupin G të Eliminatoreve të Botërorit 2018, ku është edhe kombëtarja shqiptare. Pas 5 ndeshjeve, iberikët e shohin veten në krye së bashku me Italinë në kuotë të barabartë pikësh, 13 që do të thotë se sfida mes tyre pritet të përcaktojë skuadrën që do të shkojë direkt në fazën finale të Botërorit.

Por ky nuk është problemi i vetëm i Lopeteguit. Skuadra spanjolle e ka humbur disi qetësinë pas barazimit të marrë vetëm në minutën e fundit në miqësoren me Kolumbinë, pa harruar këtu çështjen Pique.

Prej muajsh mbrojtësi spanjoll është kthyer në shënjestrën e fishkëllimave të tifozëve, sipas të cilëve, 30 vjeçari është përkrahësi më i flaktë i pavarësisë së Katalunjës. Problem më vete te Spanja është edhe Diego Costa, i cili ditët e fundit mësoi se nuk është më pjesë e planeve të Antonio Conte-s, gjë që ia ka ulur ndjeshëm moralin futbollistit.

Top Channel