Provat e lira të Kanadasë, Hamilton lë pas Vettelin

09/06/2017 00:00

Ndryshe nga parashikimet, duket se Mercedesi dhe Lewis Hamilton nuk dorëzohen kollaj. Të paktën ky është verdikti i sesionit të parë të provave të lira përpara Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1.

Në pistën e Montrealit, britaniku Hamilton shënoi kohën më të mirë me 1 minutë, 13 sekonda dhe 809 të mijëtat, duke lënë pas krahëve Ferrarin e Sebastian Vettel, me vetëm 198 të mijëtat më shumë. Pas gjermanit renditet piloti tjetër i Mercedesit, Valtteri Bottas me 237 të mijëtat më shumë, ndërsa si për të kompletuar alternimin mes dy forcave kryesore të këtij kampionati, ka menduar Raikkonen me vendin e katërt, me 421 të mijëtat më shumë.

Radha e tretë e nisjes, sigurisht nëse do të flitej për prova zyrtare, do t’i përkiste skuderisë Force India, me Perezin të pestin dhe Ocon të gjashtin. Më tej renditen Verstappen, Massa, Ricciardo dhe Kvyat.

Në fillim të sesionit, pista e Montrealit ka qenë shumë e rrëshqitshme, e këtë e kanë vuajtur dy pilotët e Ferrarit, por problemin më të madh e hasi Sainz, teksa pa motorin e njëvendëshes së tij Toro Rosso të nxirrte tym.

Sesioni i dytë i provave të lira do të zhvillohet po ditën e sotme, në orën 20:00.

Top Channel