Ndaj Izraelit, balotazh Cikalleshi-Sadiku për sulmin

09/06/2017 00:00

Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku janë dy lojtarë që kanë qenë jo pak herë në balotazh për një vend në formacionin e Kombëtares. Duket se do të jetë kështu edhe për transfertën e 11 qershorit në Izrael, me dy sulmuesit që shfaqën ambiciet e kuqezinjve në konferencën për shtyp.

“Duhet të pranojmë se duhet të bëjmë më mirë në fushën e lojës. Jemi një kombëtare e vogël në krahasim me ekipet e tjera europiane dhe kemi marrë rezultate pasi kemi luajtur si një grup i vetëm. Izraeli është mundësia jonë më e mirë për të reaguar. Të gjithë duhet të japim më shumë se 100% të mundësive tona. Shpresojmë në një rezultat pozitiv”, tha Sokol Cikalleshi.

Sulmuesi tjetër, Armando Sadiku theksoi se ndoshta skuadra po paguan euforinë e pjesëmarrjes në Europian, gjë për të cilën u diskutua edhe pas ndeshjes me Luksemburgun.

“Ndoshta po e paguajmë euforinë e Kombëtares. Folëm edhe pas humbjes me Luksemburgut për këtë. Duhet të japim më shumë për të kthyer situatën në favorin tonë. Ndeshja me Izraelin është si një finale, të japim maksimumin dhe të marrim 3 pikët, siç na i vodhi Izraeli”, tha Armando Sadiku, futbollist i Kombëtares.

Shqipëria ndodhet në vendin e 4-t në grupin G të kualifikueseve, me 6 pikë pas 5 ndeshjesh të zhvilluara.

Top Channel