Shteti Islamik kërcënon Ballkanin dhe “tradhtarët” e myslimanëve

09/06/2017 00:00

Shteti Islamik kërcënon të vrasë serbë, kroatë dhe tradhtarë të myslimanëve në Ballkan, në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj rajonit, publikuar në variantin boshnjak të revistës së xhihadistëve “Rumiyah”.

“Betohemi për Allahun se nuk e kemi harruar Ballkanin”, thuhet në mesazhin e cituar nga “BIRN”.

Në shkrimin me titull “Ballkani – Gjak për armikun, mjaltë për miqtë”, grupi terrorist lëshon paralajmërimë të drejtpërdrejta për serbët dhe kroatët, nisur nga roli i tyre gjatë luftërave në rajon, e sidomos mizorive të kryera mbi myslimanët e Bosnjes.

Por nuk harron edhe pjesën tjetër. “Shumë shpejt, ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete të tjera, duke derdhur gjakun e tradhtarëve”, trumpetohet me të madhe në artikull.

“Mos mendoni se jeni të sigurtë. Të gjithë tradhtarët e fesë islame në Bosnje, në rajonin serb të sanxhakut, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të asgjësohen me shpata e kama, nëse nuk i kthehen Islamit, është kërcënimi i egër i Shtetit Islamik”, vazhdon artikulli, edhe pse pretendon më tej se gjaku i banorëve të një pjese të këtyre vendeve është më i dashur dhe i ëmbël për xhihadistët sesa ai i serbëve dhe kroatëve.

Autori i referohet ndër të tjera edhe sulmeve të ISIS-it në Britani, Francë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, vende për të cilat thotë se janë më të forta sesa ato ballkanike, por sërish të pambrojtura ndaj goditjeve të befasishme.

Që prej shtatorit 2016, versioni boshnjak i revistës së Shtetit Islamik vazhdon të justifikojë sulmet e ndërmarra nga grupi terrorist në mbarë botën. Të dhënat zyrtare tregojnë se Bosnja është një prej eksportuesve më të mëdhenj rajonalë të xhihadistëve në Lindjen e Mesme dhe qëllimi i revistës në fjalë është të ndikojë më së shumti te myslimanet e varfër dhe të papunë të këtij vendi.

Top Channel