Ministri i ri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Maqedonisë, Oliver Spasovski njoftoi pezullimin e 23 oficerëve të lartë të Policisë, për shkak të dyshimeve mbi rolin e tyre në ngjarjet e dhunshme në Parlament, më 27 prill.

Një grup pune në Ministrinë e Rendit ka përgatitur një raport mbi episodin e dhunshëm, në të cilin evidenton shkelje të ligjit nga ana e Policisë. Sipas raportit, forcat e rendit kanë dështuar në kryerjen e detyrës për shkak të ndikimit politik.

Dokumenti lë të kuptohet se, gjatë këtyre ngjarjeve, policia nuk ka respektuar procedurat, ka munguar komanda për organizimin e njësiteve policore, nuk ka pasur përgjegjësi të përcaktuar qartë, kanë munguar njoftimet operative të shërbimeve, shtabi operativ nuk e ka vlerësuar situatën, plani i skenarëve për neutralizim nuk është aktivizuar dhe policia është penguar nga disa deputetë për mbylljen e dyerve të Parlamentit.

Spasovski nuk i bëri publike emrat e oficerëve të pezulluar të policisë, për shkak të natyrës së klasifikuar të raportit, i cili do t’i dorëzohet Prokurorisë Publike. Deri tani, kjo e fundit nuk ka marrë në pyetje asnjë prej zyrtarëve të lartë të Policisë, të dyshuar për dështimin e mbrojtjes së Parlamentit dhe ligjvënësve, dhe as vet deputetët e VMRO-së, për të cilët janë publikuar video duke hapur dyert e Parlamentit që të hynte turma e sulmuesve.

Zhvillimi vjen pak ditë përpara se kryeministri Zoran Zaev të vizitojë më 12 qershor selinë e NATO-s në Bruksel. Zaev do të jetë i shoqëruar nga ministrja e re e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska, dhe nga shefi i diplomacisë, Nikola Dimitrov, së bashku me ta do të informohet mbi detyrat që duhet të ndërmarrë Maqedonia për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake.

Top Channel