Arabia Saudite refuzon minutën e heshtjes për viktimat e Londrës

08/06/2017 00:00

Në fushë e blertë të Adelaides pritej të niste ndeshja mes Australisë dhe Arabisë Saudite, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 2018 në Rusi, por diçka e papritur ka ndodhur.

Kur folësi i stadiumit ka bërë thirrje për mbajtjen e një minute heshtjeje në nder të viktimave të sulmit terrorist në Londër, lojtarët e kombëtares australiane u bashkuan përreth rrethit të gjysmëfushës në kujtim të 8 viktimave që humbën jetën në “Urën e Londrës” dhe në tregun “Borough”, dy prej të cilëve ishin pikërisht australianë.

Por ajo që habit ishte sjellja e futbollistëve kundërshtarë të Arabisë Saudite. Vallë të mos kenë dëgjuar apo kanë bërë sikur asgjë nuk kishte ndodhur? Sauditët injoruan minutën e heshtjes.

“Nuk bën pjesë në kulturën tonë”, ishte shpjegimi i kombëtares saudite, që duket se rezultoi edhe më keq sesa po të kishin heshtur fare, pasi shkaktuan një furtunë polemikash në rrjetet sociale dhe mediet botërore.

Në rrjete ka dalë edhe videoja e refuzimit nga ana e futbollistëve me fanella të bardha (sauditët), teksa ata vendas me fanella të verdha dhe mijëra tifozët e pranishëm kryenin aktin solemn.

Refuzimi i tyre, duke u shpërndarë në gjysmëfushën që i përkiste skuadrës arabe për zhvillimin e mëtejshëm të ndeshjes, ka shkaktuar mëri dhe irritim.

“Do të ishte diçka e bukur nëse kundërshtarët tanë do të kishin treguar sadopak respekt në mesfushë, gjatë minutës së heshtjes. Nuk ishte edhe kaq e vështirë për ta bërë”, ishte mesazhi i australianëve pas ndeshjes.

Top Channel