Serbët kërkojnë të fshijnë gjenocidin nga kujtesa, për të evituar informimin e brezave të rinj lidhur me masakrën e vitit 1995, në Srebrenicë të Bosnje-Hercegovinës.

Më 11 korrik të 22 viteve më parë, mbi 8.000 myslimanë boshnjakë u vranë nga trupat serbo-boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç, në zonën e mbrojtur të Srebrenicës që në atë kohë ishte nën tutelën e kaskave blu holandeze, të dërguara nga OKB-ja.

“Balkan Insight” thotë se Milorad Dodik, president i enklavës serbe të Bosnjes ka deklaruar se, nëpër shkollat lokale nuk do të lejohen librat e historisë që tregojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

Në verën e vitit ’95, trupat e viktimave të pafajshëm, të vrarë me mitralozë, u fshehën në varre masive të hapura nga milicitë e Mladiçit. Plot 22 vite më vonë, numërimi dhe identifikimi i viktimave nuk ka përfunduar ende.

Por studentët e “Republikës Srpska” nuk do të mësojnë kurrë se çfarë ka ndodhur, pasi Dodik thotë se librat shkollorë janë shkruar nga kroatët e Bosnjes dhe pretendojnë se serbët kanë kryer gjenocid dhe se e kanë mbajtur Sarajevën nën rrethim. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë, e si rrjedhojë nuk do të lejohet nëpër libra.

Top Channel