Etika shtyn sërish dosjen “Skënderbeu”

08/06/2017 00:00

Për të dytën herë, Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka shtyrë vendimin për çështjen “Skënderbeu”, këtë herë për më 23 qershor.

E konsideruar si një nga çështjet më të nxehta, nga e cila janë disa skuadra që pretendojnë të përfitojnë, ende asgjë nuk është përfunduar.

Edhe pse UEFA, në Komisionin e saj të Disiplinës, apo Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë kanë rreth një vit që kanë marrë vendim për këtë çështje, Komisioni i Etikës së FSHF-së ende nuk po gjen provat e mjaftueshme për të marrë një vendim ndaj Skënderbeut.

Në mbledhjen e kaluar, burime brenda këtij komisioni konfirmuan se ka disa skuadra, të cilat kanë dosje të ngjashme, por vetëm ndaj Skënderbeut, për momentin po pritet të merret një vendim, pasi edhe UEFA vetëm këtë skuadër ka dënuar.

Fakti që edhe këtë herë është shtyrë, apo skuadra korçare është nisur drejt Sllovenisë për fazën përgatitore, zbeh edhe më tepër shpresat e të gjithë aktorëve që prisnin të përfitonin nga një dënim i mundshëm i Skënderbeut: nga Tirana, që mbeti e ngrirë për një qëndrim të mundshëm në Superiore, e deri te Partizani, që mbetet në pritje të titullit të sezonit të shkuar.

Top Channel