NBA, Golden State i afrohet titullit

08/06/2017 00:00

Golden State Warriors i afrohet gjithnjë e më shumë titullit në NBA. Skuadra kaliforniane e mundi sërish Cleveland Cavaliers dhe këtë radhë me rezultatin 118-113, për ta çuar rezultatin në serinë e përballjeve 3-0, ndërkohë që numri i fitoreve radhazi në “playoff” shkoi 15 në po kaq ndeshje të luajtura.

Në Ohajo, skuadrat zhvilluan një ndeshje me intesitet të lartë, ku në momente të caktuara u duk sikur Cleveland po i jepte fund serisë së rezultateve pozitive të Warriors. Fati i kësaj sfide, ndoshta edhe i krejt serisë së finaleve, u vendos kur kishin mbetur 2 minuta e 45 sekonda nga fundi i sfidës. Në këtë moment, Golden State u shfaq një furi e vërtetë, teksa regjistroi një rezultat të pjesshëm 11-0 që shoi përfundimisht shpresat e Cleveland.

Ata që ndëshkuan Cavaliers ishin të zakonshmit Stephen Curry me 26 pikë e 13 topa në tabelë e Kevin Durant me 31 pikë e 8 topa në tabelë. Ky i fundit shënoi 7 nga 31 pikët e tij pikërisht në çastet e fundit të takimit dhe këtu përfshihen edhe ato që i dhanë mundësinë Golden State që të merrte avantazhin në 114-113, në 45 sekondat e fundit të sfidës.

Për Cleveland nuk mjaftoi paraqitja e mirë e LeBron James, i cili regjistroi një bilanc me 39 pikë, 11 topa në tabelë e 9 asist, për të evituar këtë disfatë që thuajse e detyron të dorëzojë titullin te rivalët nga Okland.

Ndeshja e katërt do të luhet sërish në “Quicken Loans Arena”, ku Golden State do të kërkojnë të rishkruajnë historinë dhe të fitojë titullin e dytë në 3 vjet.

Top Channel