Departamenti i Policisë greke në Marusi të Athinës, në bashkëpunim me Prokurorinë kundër Krimit të Organizuar, pas muajsh hetime kanë mundur të shkatërrojnë një nga rrjetet më kriminale të kohëve të fundit, të përbërë nga tre grupe, që vepronte në kryeqytetin grek Athinë dhe ishullin Ko, midis të cilëve më shumë se gjysma ishin shtetas shqiptarë.

Rrjeti përbëhej nga tre grupe kriminale që vepronin në mënyrë të pavarur, duke trafikuar hashash apo kokainë në sasi të konsiderueshme, si dhe emigrantë ilegalë nga brigjet turke drejt vendeve të Europës Qendrore.

“Në operacione të koordinuara që u zhvilluan në orët e mëngjesit të  datës 5 qershor, në Athinë dhe Ko, janë arrestuar gjithsej 44 anëtarë të grupeve kriminale, prej të cilëve 23 janë shtetas shqiptarë, një pakistanez dhe 20 janë shtetas grekë”, tha zëdhënësi i policisë greke, Theodhoros Chronopoulos.

Shtatë prej krerëve të grupeve, shqiptarë e grekë, janë arrestuar në Athinë, ndërsa 22 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas zëdhënësit të policisë, grupi më i fuqishëm kishte në krye të tij një shtetas shqiptar, që thërritej prej të gjithëve me epitetin “bosi” ose “fabrika”, për arsye të sasive të mëdha të lëndëve narkotike që sillte nga Shqipëria dhe I depozitonte në zonën Koropi të Athinës.

Vetëm në gjashtë muajt e fundit, pjestarët e grupit kanë trafikuar më shumë se 200 kg hashash dhe 5 kg kokainë, me fitime prej qindra-mijëra eurosh.

Gjithashtu kanë trafikuar nga Turqia në ishullin Ko dhe më pas në Athinë, dhjetra emigrantë të paligjshëm, të cilët paguanin nga 3000 deri në 12000 euro për person, në varësi të shtetit ku do të shkonin.

Top Channel