Izrael-Shqipëri, arbitri Kulbakov gjykon sfidën

07/06/2017 00:00

Izrael-Shqipëri është një betejë direkte për vendin e tretë në grupin G të Eliminatoreve për Botërorin 2018, një sfidë të cilën FIFA ka vendosur që të jetë në duart e një arbitri bjellorus.

Aleksei Kulbakov do të vendosë drejtësinë në sfidën e kësaj të diele në stadiumin e Haifas, që sheh të avantazhuar vendasit e trajnerit Elisha Levi përballë skuadrës kuqezi të trajnerit Gianni De Biasi.

38-vjeçari Kulbakov është arbitri i vetëm bjellorus i licencuar për ndeshjet e nivelit të lartë të UEFA-s si finalet e turneve apo grupet e Champions apo Europa League. Ai e ka nisur karrierën në moshën  16-vjeçare dhe fitoi të drejtën për të gjykuar ndeshje ndërkombëtare në moshën 25 vjeç, që është dhe minimumi i pranuar nga FIFA.

Ndeshja mes Izraelit dhe Shqipërisë do të luhet të dielën në orën 20:45 në stadiumin e Haifas. Impianti Sami Ofer është një kryevepër arkitektonike me mundësinë për të mbajtur brenda 30 mijë e 870 tifozë të ulur, një kapacitet që zgjerohet dukshëm në raste eventesh masive. Ndërtimi i stadiumit të Haifas ka kushtuar 530 milionë euro.

Top Channel