Kampion me Kukësin, Gjoka do të rinovojë kontratën

07/06/2017 00:00

Menjëherë pas përfundimit të kampionatit, për skuadrën kampione të Kukësit filluan të dalin emrat e zëvendësimit të trajnerit Ernest Gjoka, edhe pse nga vet klubi nuk konfirmohej asgjë për largimin e mundshëm të trajnerit.

Pas pushimeve të përkohshme, presidenti Safet Gjici dhe Ernest Gjoka kanë rënë dakord për rinovimin e kontratës edhe për sezonin e ardhshëm.

“Së bashku me presidentin jemi habitur dhe kemi diskutuar gjatë. Kanë nxjerrë shumë emra, por unë mendoj se këto janë disa gabime. Ne vazhdojmë punën dhe po mundohemi të bëjmë një ekip sa më elitar për t’u përfaqësuar denjësisht në Champions League. Kemi një skuadër që përveç kompeticionit europian, objektiv kryesor kemi mbrojtjen e titullit kampion për vitin e ardhshëm”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Nga dita e hënë, skuadra e Kukësit do të rifillojë stërvitjen, ndërkohë që Gjoka, në takimin me presidentin Gjici, ka vendosur edhe piketat e përforcimit të skuadrës së bashku me objektivin për Champions League.

“Morëm një kështjellë, që ishte kampionati shqiptar, pas 5 viteve investim. Tashmë kërkojmë një kështjellë tjetër, që është edhe më e fortë, më e vështirë. Ne nuk do ta ndryshojmë boshtin e skuadrës, por po kërkojmë përforcime në sulm dhe sa i përket krahëve të mesfushës”, tha Ernest Gjoka.

Ndoshta përforcimi i sulmit mund të lidhet me një largim të mundshëm të golashënuesit të kampionatit, Pero Pejiç, por Gjoka e mohon kategorikisht.

“Jo, nuk bëhet fjalë. Pero Pejiç nuk preket”, tha Gjoka.

Sa u përket emrave të tjerë, që u përfolën për të zëvendësuar Ernest Gjokën, më i lakuari ishte ai i ish-trajnerit të Shpresave, Skënder Gega, por që burime konfidenciale thonë për Top Channel se propozimi ndaj tij mund të jetë, si fillim, për postin e drejtorit teknik, në rast se palët do të bien dakord.

Top Channel