Tom Cruise shfaqet te “Mumja”, në një risjellje në ekranin e madh të filmit të mbushur me aksion dhe rreziqe.

Aktori festoi lançimin e filmit me fansat në Nju Jork. Cruise shfaqet përkrah Sofia Boutella dhe Russell Crowe, në ripunimin e filmit origjinal të vitit 1932, si dhe atij të 1999-s, që theu rekordet e deriatëhershme për fitimet, ku shfaqej fillimisht Brendan Fraser dhe që pasohej nga dy seri.

Pjesëtarët e kastit thanë se sfida kishte qenë të nderohej dhe respektohej filmi i mëparshëm dhe fansat e tij, por edhe sjellja e diçkaje të re në tryezë.

“Filmi ka aventura të jashtëzakonshme, por është edhe i frikshëm gjithashtu. Ka humor dhe romancë. Sidoqoftë, ne u bëjmë homazh filmave paraardhës, duke filluar nga ai i 1932-shit”, tha Cruise.

Për të parën herë, “Mumja” do të luhet nga një femër, aktorja Boutella, që tha se ishte e nderuar me rolin që i ishte besuar. Premiera e filmit, më 1 qershor në Londër, u anulua pas sulmit në Manchester, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara, “Mumja” do të dalë nëpër kinema të premten e 9 qershorit.

Top Channel