“Adieu Roland Garros”. Thiem eliminon Novak Djokoviç

07/06/2017 00:00

Novak Djokoviç i jep në mënyrë të papritur lamtumirën “Roland Garros”. Tenisti serb, kampioni në fuqi i turneut, i befasoi të gjithë teksa u mposht nga Dominic Thiem, të cilin vetëm përpara pak kohësh e shkatërroi në turneun “Masters” të Romës.

Këtë radhë, këshillat e Andre Agassit nuk i hynë shumë në punë numrit dy të botës, që ishte krejtësisht i pafuqishëm përballë kundërshtarit të tij. Seti i parë ishte më i rivalizuari në këtë sfidë, pasi ishte “tie break”-u ai që përcaktoi fituesin e tij, e ai ishte pikërisht talenti austriak. Dy setet e tjera u luajtën në një drejtim, me Thiem që ishte superior ndaj Djokoviç, duke i fituar ato 6-3 dhe 6-0.

Kundërshtari i radhës për Thiem do të jetë Rafael Nadal, që këtë vit nuk po lodhet shumë në “Roland Garros”. Në çerekfinale, spanjolli u vu përballë bashkëkombasit të tij, Carreno Busta, por vetëm seti i parë u zhvillua i plotë, me 31-vjeçarin që e fitoi atë 6-2. Në setin e dytë, Carreno u detyrua të braktisë ndeshjen për shkak dëmtimi, duke ia hapur më shpejt se ç’u mendua dyert e gjysmëfinaleve Rafael Nadalit.

Top Channel