F1, Kubica kompleton 115 xhiro me Renault. A do të rikthehet piloti polak?

07/06/2017 00:00

Robert Kubica është rikthyer për herë të parë në timonin e një njëvendësheje të Formulës 1, plot 6 vite pas incidentit të tmerrshëm në garën Rally të Andorës, që i dha një goditje karrierës së tij në botën e automobilizmit. Këtë e ka bërë në pistën e Valencias, sigurisht me dyer të mbyllura, me një makinë Renault, e njëjta për të cilën garonte në vitin 2012, atëherë në bashkëpunim me Lotusin.

Dhe buzëqeshja e pilotit polak tregon thuajse gjithçka. Ata që e kanë parë nga afër, betohen se dukej si buzëqeshje e një djaloshi të vogël kur merr në duar lodrën e preferuar. Por sot, Robert është 32 vjeç, e pavarësisht incidenteve të së shkuarës, ai është ende plot shpresë. Në fund të ditës së djeshme, ai kompletoi 115 xhiro, një distancë thuajse si një garë e vërtetë, me kohë të regjistruara të konsideruara të mira, e që i dhanë atij një gëzim të pamasë.

Në “Ricardo Tormo” kishte xhiruar për herë të fundit në testet dimërore të vitit 2011, me performanca tejet të mira, që siguruan më pas edhe një sezon pozitiv në Botërorin e Formulës 1. Më pas, gjithçka duket se shkoi errët për pilotin nga Krakova, një talent i madh për të cilin ndihet shumë keqardhje. Ajo garë e mallkuar në Liguria, ku me “Skoda Fabia S2000” u përplas rëndë me parmakët mbrojtës, bëri që t’i pritej thuajse i gjithë krahu i djathtë.

Që prej atëherë, jeta e Robert ka qenë një betejë me fatin. “E kam thënë gjithmonë që do të rikthehem në Formula 1, sigurisht vetëm me një kaskë në kokë, por nuk më keni parë ende në gara këto vite”, rrëfente Kubica pak javë më parë. “Nuk do të kisha asnjë problem që të nxirrja nga garazhi makinën time BMW të sezonit 2006 në Formula 1, t’i montoja motorin e të shkoja të xhiroja në pistë. Por çfarë kuptimi do të kishte kjo? Unë dua të rikthehem të bëj rolin e pilotit. Pak sezone më parë, një skuderi më kërkoi ta provoja, duke më ofruar testime në Monza, por do të ishte thjesht një performancë për sponsorët dhe, për karakterin tim, do të ishte diçka që do të më bënte të ndihesha keq. Nëse do të më ofronte një mundësi reale, sigurisht që do ta provoja”.

Ky rast, më në fund i trokiti në derë. Kubica ka mundur të testojë veten në pistë, me një makinë të vjetër, pikërisht nga ato që ishte mësuar të ngiste ai dhe që do t’i jepte përgjigje ndaj pikëpyetjeve që kishte në kokë. Si për shembull, si do të reagonte fiziku i tij pas një gare dhe si do të ndihej në krye të një njëvendësheje. Garancia e krahut të djathtë të tij, i operuar plot 18 herë, është disi e kufizuar që prej aksidentit, e kjo i vështirëson gjërat. Por testimet kanë treguar se Robert Kubica duket se është ende në gjendje të garojë.

Top Channel