Të denoncuar, por në punë. Ndreca: Nuk ka prova për drejtuesit e arsimit

06/06/2017 00:00

12 maturantë janë ndëshkuar një ditë më parë nga provimi i parë i maturës shtetërore për shkak se u janë gjetur celularë. Sekretari i Përgjithshëm në Ministrisë së Arsimit u bën thirrje maturantëve të bëjnë kujdes në provimet e radhës dhe askush të mos besojë se teza e provimit mund të dalë më parë.

“Tezat dhe provimi i maturës shtetërore administrohet nën rregulla të rrepta sigurie, ashtu siç u provua edhe me vijimin e këtij provimi dje, i cili ishte provim model, u administrua në një mënyrë model. Në 37 mijë maturantë që kanë qenë në provim dje, janë konstatuar vetëm 12 raste, të cilët kishin problematika në respektimin e rregullores, mbajtjes së celularëve, të cilët janë penalizuar”, u shpreh Plarent Ndreca, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrisë së Arsimit.

Por një ditë më parë, Ministria e Arsimit ka dërguar në Prokurori emrat e 4 drejtuesve të zyrave arsimore në rrethe, që sipas Ndrecës është veprim i nxituar pasi duke qenë nëpunës civilë, duhej ngritur grupi i disiplinës për pezullimin e tyre nga puna, por sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë që e kryeson këtë grup nuk i janë venë në dispozicion provat përkatëse

“Janë nëpunës me statusin e nëpunësit civil, kështu që sot që flasim janë në punë sepse nuk ka filluar procedimi disiplinor për shkak të pritjes së informacionit zyrtar dhe marrjes së provave përkatëse. Në kushtet kur unë nuk kam informacion zyrtar, nuk mund të gjykojë mbi veprimet që janë bërë për t’u referuar në Prokurori. Referimi në Prokurori bazohet në prova dhe fakte që ka për secilin”, shprehet Ndreca.

Kjo përplasje duket e përsëritur në të gjitha ministritë që drejtohen nga ministra teknike të opozitës, ndërsa vihet re një mungesë bashkëpunimi me stafet ekzistuese. 

Top Channel