“Forbes” zbulon ekipin me vlerën më të madhe. Nuk është Reali

06/06/2017 00:00

Pavarësisht fitimit të Champions League për të dytin vit radhazi, Reali nuk mund të ngjitet në majën e një renditjeje speciale, por ka zbritur në vendin e tretë. Vendin e parë në klasifikimin e “Forbes” për klubet më të vlefshme të botës e ka zënë Manchester United, për herë të parë në 5 vitet e fundit.

Sipas “Forbes”, “djajtë e kuq” vlerësohen me 3.69 miliardë dollarë, përpara gjigantëve spanjollë si Barcelona dhe Real Madrid. Katalanasit kanë një vlerë prej 3.64 miliardë dollarë, ndërsa Reali, i cili mbante vendin më të lartë të podiumit në 4 vitet e kaluara, zbret në fund të podiumit me një vlerë prej 3.58 miliardë dollarë.

Bayern Munchen, me 2.71 mld dollarë, dhe Manchester City, me 2.08 mld dollarë, plotësojnë pesëshen e ekipeve më me vlerë të botës. Ndërsa në 10-she futen edhe Arsenali, Chelsea, Liverpool, Juventusi dhe Tottenham.

Mike Ozanian, ndihmësredaktor menaxherial i “Forbes”-it, tha se rikthimi i Manchester United në krye është një tregues i fuqisë së markës së tyre dhe mendjemprehtësisë së tyre në marketing.

United gjeneroi 765 milionë dollarë të ardhura gjatë sezonit 2015-2016, sipas “Forbes”, 77 milionë më shumë sesa Barça dhe Reali. Javën e kaluar, United u shpall edhe si ekipi më i vlefshëm në Europë, pas raportit të audituesve të “KPMG”-së, që e vlerësuan klubin me 3.0004 miliardë euro (3.39 mld dollarë).

“Djajtë e kuq”, që fituan Europa League këtë sezon, pavarësisht se u renditën në vendin e 6 në Premier League, kanë aktualisht 26 marrëveshje globale sponsorizimi, përfshi ato me “Adidas”, “Chevrolet”, “20th Century Fox” dhe “Uber”, sikurse edhe 10 marrëveshje rajonale sponsorizimi dhe 28 sponsorë mediatikë e financiarë.

Top Channel