Kualifikueset “Rusi 2018”, Izraeli përgatitet për kuqezinjtë

06/06/2017 00:00

Në fokus ishte miqësorja ndaj Moldavisë, por kombëtarja e futbollit të Izraelit, më shumë sesa përballja e parë, është fokusuar te kualifikuesja zyrtare me kombëtaren shqiptare të futbollit.

Më 11 qershor në stadiumin e Haifas, kuqezinjtë e Gianni De Biasit do të kërkojnë në transfertë, pikët që Izraeli mori në Elbasan, sipas teknikut italo-shqiptar.

Në kampin vendas ekziston serioziteti më i madh, edhe pse humbja e fundit e kuqezinjve me rivalë modestë, dha të tjera përshtypje.

“Nuk mendoj se do të ketë ndikim humbja e Shqipërisë me Luksemburgun, pasi ishte vetëm një miqësore, ndërsa në ndeshje zyrtare ne e dimë sesi luajnë. Ndeshja me Shqipërinë, sidomos pas faktit që i mundëm në shtëpinë e tyre, është një betejë e drejtpërdrejtë për vendin e tretë. Në terma rezultatesh i kemi kapur pritshmëritë tona, edhe pse humbëm me Spanjën e Italinë, që gjithsesi janë forca më të mëdha”, tha trajneri i Izraelit, Elisha Levi.

“Kemi një bazë të qëndrueshme të kombëtares dhe besoj shumë në ekipin tim. Kur të mbyllen kualifikueset do të bëjmë bilancin tonë. Tal Ben-Haim dhe Yossi Benayoun kanë treguar një dëshirë të madhe për të kontribuar, prandaj janë këtu, pavarësisht numrit të minutave që do të kenë. Sjellja e tyre është korrekte dhe ata ndikojnë tek ekipi”, shtoi më tej trajneri Elisha Levi.

Shqipëria do të luajë në Haifa ndaj Izraelit të dielën në orën 20:45. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e 4-t në grupin G, me 6 pikë pas 5 ndeshjesh.

Top Channel