Real Madrid e tepron, ofron 130 mln euro për Mbappe

06/06/2017 00:00

Reali Madrid çmendet pas Kylian Mbappe. Klubi madrilen tashmë ka nisur ofensivën e tij për talentin e Monaco-s dhe sipas Radio Montecarlos, kampionët Europës kanë ofruar plot 130 milionë euro për sulmuesin 18-vjeçar, shifër kjo që konsiderohet e mjaftueshme për të mundur konkurrencën e klubeve angleze.

Nëse kjo tratativë do të realizohet atëherë te Reali do të ketë një mbipopullim në repartin e sulmit dhe “Los Blancos” do të jenë të detyruar të largojnë ndonjë prej sulmuese. Në këtë pikë emrat më të përfolur janë ata të Alvaro Morata-s dhe Gareth Bale edhe pse të dy këta futbollistë kanë shfaqur dëshirën për të qëndruar nën urdhrat e Zinedine Zidane.

Por Reali është në pritje të ardhjes së 3 futbollistëve të rinj të projektuar për të ardhmen siç janë Marcos Llorente. Jesuisa Vallejo dhe blerja më e re Theo Hernandez me këtë të fundit që ka hyrë menjëherë në telashe pasi 2 ditë më parë e kanë denoncuar për dhunë seksuale ndaj një mikes së tij.

Për sa u përket largimeve, e sigurt është që Pepe do të lërë “Los Blancos”, por një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe James Rodriguez. Pepe donte një rinovim të kontratës edhe për 2 vjet, por drejtuesit e klubit nuk ia plotësuan këtë dëshirë, kështu që ai largohet me parametra zero. Për sa i përket kolumbianit, Rodriguez për të cilin Reali pagoi 80 milionë euro, është ankuar shumë për trajtimin që i është bërë dhe tani dëshiron të largohet dhe Florentino Perez do të kërkojë për kartonin e tij jo më pak se 50 milionë euro.

Top Channel