Rusia kërcënon Podgoricën: Anëtarësimi në NATO, kurs armiqësor

06/06/2017 00:00

Rusia kërcënon se do të hakmerret ndaj Malit të Zi, pas anëtarësimit të tij në NATO. Një ditë më parë, vendi i vogël buzë Adriatikut u kthye zyrtarisht në anëtarin e 29 të aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut dhe mori lëvdatat e Shteteve të Bashkuara për ndjekjen e kësaj rruge, pavarësisht presioneve ruse.

Por, ndërsa kryeministri malazez Dusko Markoviç ishte në Uashington për ceremoninë e mbajtur në Departamentin e Shtetit me rastin e anëtarësimit, Rusia e dënoi ashpër atë që e cilëson histeri antiruse dhe “kurs armiqësor” të Podgoricës.

Ministria e Jashtme në Moskë konsideron se Mali i Zi mban përgjegjësi të plotë për veprimet e veta, duke kujtuar edhe bashkimin e tij me sanksionet e bllokut europian kundër Rusisë në vitin 2014. Në dritën e kësaj linjeje armiqësore të ndjekur nga autoritetet malazeze, pala ruse rezervon çdo të drejtë për të marrë masa shpaguese në bazë reciprociteti.

“Në politikë, ashtu si edhe në fizikë, ndaj çdo veprimi ka një reagim”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ne Uashington, Markoviç nuk u takua me presidentin Trump, por me zëvendësin e tij, Mike Pence. Kreu i ekzekutivit malazez i dorëzoi  qeverisë së Shteteve të Bashkuara dokumentin e anëtarësimit të vendit të tij në NATO. Sipas marrëveshjes së Atlantikut Verior, qeveria amerikane ka përgjegjësinë e ruajtjes së dokumentacionit.

Në këtë mënyrë, NATO-ja i zgjeroi sërish pas 8 vitesh radhët e saj. Ushtria e Malit të Zi numëron vetëm 2.000 forca, por janë portet në Adriatik, ato që konsiderohen të një rëndësie strategjike.

Top Channel