Mali i Zi është bërë këtë të hënë anëtari i ri i NATO-s, duke nënshkruar aderimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut në selinë e Departamentit amerikan të Shtetit, në Uashington.

Në ceremoninë e rastit merrte pjesë edhe sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili nënvizoi se hyrja e Malit të Zi në Aleancë i kontribuon paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Gjithashtu, deklaroi Stoltenberg, ky anëtarësim është një mesazh i fortë se dyert e NATO-s mbeten të hapura për të gjithë.

Ceremonia u ndoq nga kryeministri malazez Dusko Markoviç dhe ministri i Jashtëm, Srdan Darmanoviç, ndërsa u organizua nga nënsekretari për Çështjet Politike, Thomas A. Shanon.

“Sot Mali i Zi i bashkohet NATO-s, duke pasur në këtë organizatë ulësen e tij si shtet i barabartë dhe që me zërin e tij do të ndihmojë për t’i dhënë formë Aleancës”, tha Stoltenberg.

Ai nënvizoi se NATO do të ketë përfitime nga anëtarësimi i këtij vendi dhe natyrisht vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor që bëjnë pjesë në të.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare firmosën Protokollin e Anëtarësimit në maj të vitit 2016, pasi parlamentet përkatëse kishin ratifikuar më herët aderimin e Malit të Zi.

Ceremonia për ngritjen e flamurit malazez në selinë e NATO-s do të mbahet më 7 qershor. Anëtarësimi i sotëm është i pari që prej 1 prillit të vitit 2009, kur anëtare u bënë Shqipëria dhe Kroacia.

Top Channel