Serbët e Kosovës, të ndarë. “Lista serbe” shantazhon me largime nga puna

05/06/2017 00:00

Lista Serbe kërkon votën në Graçanicë. Kjo është lista e vetme e mbështetur nga Beogradi dhe me porosi kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. Qëndrimi i serbëve në Kosovë është në momente kritike, sikurse edhe mbijetesa e tyre.

“Duan që fëmijëve tanë t’u veshin uniformat e Kosovës dhe më pas t’i çojnë në veri. Ne kurrë nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ushtria nuk u formua vetëm pse kundërshtuam ne për 3 vite rresht”, tha Branimir Stojanoviç, kandidat për deputet.

Në qendër të Graçanicës është Partia Liberale Serbe, e cila ishte e para që mori pjesë në institucionet e Kosovës. Kjo parti nuk bën fushatë.

Udhëheqësi i saj, Slobodan Petroviç tha se, nëse simpatizuesit e tyre marrin pjesë në fushatë pushohen nga puna.

“E vetmja politikë dhe filozofi reale është të luftojmë për njerëzit tanë dhe mbijetesën e tyre. Ne nuk merremi me iluzione dhe marrëzirat e atyre. Ne nuk jemi kundër askujt. E vetmja gjë që duam është të kemi kontroll mbi jetën tonë dhe të marrim përgjegjësi, për ta bërë jetën të mirë për të gjithë. Partnerët tanë janë të gjithë ata që kanë një politikë të tillë”, tha Slobodan Petroviç, Partia Liberale Serbe, Kosovë.

Votuesit serbë të shpërngulur nga Kosova mund të votojnë edhe me postë nga Serbia.

Për shumë vendime në Kuvendin e Kosovës duhet edhe votat e serbëve, të cilët kanë 10 vende të rezervuara. Por kësaj radhe, ata janë ndarë përkundër sugjerimeve të Beogradit.

Top Channel